Ministrja e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar ashpër pas kërkesës së Prokurorisë Speciale për dënim me nga 45 vite burg për secilin prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke e cilësuar këtë veprim si një padrejtësi të rëndë dhe shtrembërim të historisë së luftës çlirimtare.
Sipas Haxhiut, kjo nuk është një proces që synon drejtësinë, por një përpjekje e qartë për ndëshkim politik dhe selektiv ndaj një lufte të drejtë, e cila i dha fund terrorit shtetëror serb në Kosovë.
Ajo theksoi se krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës janë të dokumentuara gjerësisht nga komuniteti ndërkombëtar dhe përfshijnë masakra, vrasje të civilëve, përdhunime seksuale si armë lufte dhe dëbime masive të popullsisë shqiptare. Megjithatë, sipas saj, shteti serb nuk është përballur kurrë seriozisht me drejtësinë, ndërsa shumë prej përgjegjësve për këto krime janë amnistuar ose ricikluar në poste publike.
Ministrja kritikoi ashpër mekanizmin gjyqësor, duke deklaruar se ai po tenton të kriminalizojë rezistencën e popullit shqiptar dhe ta trajtojë UÇK-në sikur të ishte shkaktare e luftës, e jo reagim ndaj represionit dhe dhunës shtetërore serbe.
“Kërkimi i dënimeve kaq të rënda ndaj drejtuesve dhe luftëtarëve të UÇK-së synon të zhveshë Kosovën nga e drejta morale e çlirimit dhe të barazojë viktimën me xhelatin”, u shpreh Haxhiu.
Reagimi i saj vjen në një moment kur procesi gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së ka ndezur debate të forta politike dhe historike në Kosovë dhe më gjerë, duke rihapur plagë të vjetra dhe duke ngritur pikëpyetje mbi drejtësinë ndërkombëtare dhe standardet e saj.
