Juan Pablo Guanipa, një nga figurat kryesore të opozitës venezueliane dhe aleat i ngushtë i María Corina Machado, është rrëmbyer nga persona të armatosur, vetëm disa orë pasi u lirua nga burgu.
Lajmi është konfirmuar nga familjarët e tij, të cilët kanë ngritur alarmin për fatin e politikanit opozitar. Sipas deklarimeve, Guanipa u mor me forcë gjatë mbrëmjes së së dielës, në zonën Los Chorros të kryeqytetit Caracas, rreth mesnatës.
Udhëheqësja e opozitës venezueliane, María Corina Machado, bëri me dije se rrëmbimi u krye nga persona të armatosur të paidentifikuar, ndërsa deri tani nuk dihet vendndodhja e Guanipas dhe as autorët e ngjarjes. Autoritetet venezuelane nuk kanë reaguar zyrtarisht.
Familjarët kanë deklaruar se Guanipa u rrëmbye nga rreth dhjetë burra të veshur civilë dhe kërkojnë urgjentisht prova se ai është gjallë.
Juan Pablo Guanipa është një nga zërat më kritikë ndaj regjimit aktual në Venezuelë. Ai ishte arrestuar në maj të vitit 2025 nën akuza për përfshirje në një grup të cilësuar si “terrorist”, akuza që ai dhe opozita i kanë mohuar vazhdimisht, duke i konsideruar politike.
Lirimi i tij u bë pjesë e një vale lirimesh të të burgosurve politikë, të ndërmarra nga autoritetet venezuelane pas presionit të fortë ndërkombëtar. Megjithatë, rrëmbimi i tij vetëm pak orë pas lirimit ka tronditur rëndë skenën politike të vendit dhe ka ngritur shqetësime serioze për sigurinë e figurave opozitare në Venezuelë.
