Izolimi politik nuk shpallet me deklarata zyrtare, por lexohet qartë në tryezat ku nuk je i ftuar dhe në takimet ku emri yt mungon qëllimisht. Pikërisht ky ishte mesazhi që erdhi nga Milano, gjatë darkës gala të Lojërave Olimpike Dimërore Milano–Cortina 2026, ku Shtetet e Bashkuara u përfaqësuan në nivelin më të lartë, ndërsa kryeministri Edi Rama ishte krejtësisht i përjashtuar.
Në këtë event prestigjioz, Shqipëria u përfaqësua nga Presidenti Bajram Begaj, i cili u ul në të njëjtën tryezë me Zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio. Mungesa e Ramës, ndonëse ndodhej vetëm pak kilometra larg, u lexua në qarqet diplomatike si një mesazh i qartë politik nga Uashingtoni: shteti shqiptar po, kryeministri jo.
Burime diplomatike e interpretojnë këtë si një sanksion të heshtur, por tepër domethënës. Administrata amerikane ka zgjedhur të diferencojë institucionet e shtetit nga figura e shefit të qeverisë, duke i mbyllur atij dyert në evente të rëndësishme ndërkombëtare. Ky është një sinjal i fortë se Rama nuk konsiderohet më partner i besueshëm për SHBA-në.
Izolimi i kryeministrit shqiptar nuk shihet si episod i rastësishëm. Ai lidhet me qëndrimet e tij politike ndër vite, pozicionimin në linja që bien ndesh me orientimin aktual të Uashingtonit dhe perceptimin se Tirana po devijon nga standardet e besueshmërisë strategjike dhe institucionale. Retorika e brendshme, përplasjet me drejtësinë dhe aleancat e diskutueshme ndërkombëtare kanë kontribuar në këtë ftohje të dukshme.
Në këtë kontekst, prania e Begajt në Milano kishte një peshë simbolike të veçantë. SHBA-ja sinjalizoi se Shqipëria nuk është e izoluar si shtet, por kryeministri i saj po përjashtohet personalisht nga skena e lartë ndërkombëtare. Një ndarje e tillë është ndër goditjet më të rënda politike që mund t’i ndodhin një lideri në detyrë.
Milano, kështu, nuk ishte thjesht një darkë olimpike, por një skenë ku u reflektua qartë ndryshimi i qëndrimit amerikan. Kur Uashingtoni zgjedh të të injorojë, mesazhi është i prerë dhe i pakthyeshëm: dera është mbyllur, pavarësisht propagandës apo përpjekjeve për ta minimizuar realitetin.
