BE i tërheq veshin Ramës? Kryeministri thirret me urgjencë në Bruksel, takim i beftë me Antonio Costan

Data

Teksa Gjykata Kushtetuese po zvarrit pa dinjitet vendimmarrjen për çështjen Balluku, sinjalet që vijnë nga Brukseli tregojnë se durimi i partnerëve europianë ndaj Edi Ramës po shkon drejt fundit. Të hënën, kryeministri shqiptar do të udhëtojë me urgjencë drejt Brukselit, ku pritet të zhvillojë një takim të papritur me presidentin e Këshillit Europian, Antonio Costa.

Takimi, i cili nuk ishte paralajmëruar më herët në axhendën zyrtare, vjen në një moment kritik për Shqipërinë, në kulmin e përplasjes institucionale të shkaktuar nga hetimi i SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe refuzimi i mazhorancës për t’i hapur rrugë drejtësisë.

Burime diplomatike bëjnë me dije se në Bruksel është krijuar bindja se qeveria Rama ka ndryshuar qasje ndaj reformës në drejtësi, duke kaluar nga mbështetja verbale në ndërhyrje të drejtpërdrejtë për mbrojtjen e figurave kyçe të pushtetit. Çështja Balluku dhe skandali i AKSHI-t kanë shërbyer si katalizatorë për të rrëzuar narrativën e ndërtuar prej vitesh nga kryeministri, sipas së cilës ai ishte garantuesi i vetëm i pavarësisë së drejtësisë në Shqipëri.

Sipas burimeve nga Brukseli, një nga temat kryesore të diskutimit në takimin e së hënës do të jetë pikërisht imuniteti i Belinda Ballukut. Mesazhi i ardhur nga qendrat vendimmarrëse europiane është i drejtpërdrejtë: ose mazhoranca i hap rrugë drejtësisë duke dorëzuar imunitetin, ose Shqipëria përballet me pasoja serioze në raport me qëndrimin e BE-së.

Ende nuk dihet nëse kjo temë do të pasqyrohet në deklaratën zyrtare pas takimit, por lëvizjet intensive në kancelaritë europiane gjatë ditëve të fundit flasin për një klimë shqetësimi real. Vetëm këtë javë, Antonio Costa dhe Ursula von der Leyen zhvilluan takime në Paris me presidentin francez Emmanuel Macron, çka ka shtuar spekulimet për koordinim të qëndrimeve mbi zhvillimet në Shqipëri.

Në Bruksel ekziston gjithashtu shqetësimi se Edi Rama mund të përpiqet të përdorë lidhjet e tij personale me disa liderë europianë për të zbutur presionin politik dhe diplomatik ndaj Tiranës. Megjithatë, pas mbledhjes së fundit të strukturave për zgjerimin, klima duket se ka ndryshuar ndjeshëm dhe ujërat janë trazuar seriozisht.

Takimi i së hënës pritet të jetë një test i fortë për Ramën dhe një moment kyç për të ardhmen e marrëdhënieve të Shqipërisë me Bashkimin Europian, në një kohë kur drejtësia, korrupsioni dhe kapja e institucioneve janë rikthyer në qendër të vëmendjes ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related