Godina e xhamtë e Prokurorisë së Posaçme vijon të jetë epiqendra e tensioneve politike në vend, ku politikanë të majtë dhe të djathtë hyjnë për të dhënë shpjegime, ndërsa disa prej tyre kanë përfunduar në pranga ose janë marrë zyrtarisht të pandehur për afera të rënda korrupsioni. Gazetari investigativ Artan Hoxha ka ndarë detaje tronditëse nga brenda SPAK, duke hedhur dritë mbi realitetin e përditshëm ku po hetohen dosjet më të nxehta të politikës shqiptare.
Sipas Hoxhës, drejtësia ka detyrimin të mbajë nën kontroll politikën, në mënyrë që kjo e fundit të mos shkelë ligjin. Ai thekson se SPAK ka prishur balancat tradicionale të pandëshkueshmërisë, duke goditur më fort mazhorancën aktuale, ndërsa korrupsioni i opozitës, krahasuar me përmasat e aferave të sotme, duket thuajse i parëndësishëm.
Gazetari përshkroi me tone të forta kushtet brenda godinës së SPAK, duke i cilësuar ato si alarmante. Ai tregoi se ambientet janë të ngushta, me kubaturë shumë të ulët dhe të mbushura tej mase me dosje voluminoze. Në një nga zyrat që kishte vizituar, Hoxha pa katër oficerë të policisë gjyqësore të grumbulluar në një hapësirë minimale, me dosje të vendosura kudo, deri në atë pikë sa brenda nuk kishte vend as për t’u ulur.
Sipas tij, një situatë e tillë e ka bërë të firmosë dokumente në këmbë, ndërsa jashtë zyrave kishte karroca të mbushura plot me dosje hetimore. Hoxha e krahasoi këtë realitet me zyrat që kishte parë vetëm në disa vende të Amerikës Latine, duke nënvizuar se është e papranueshme që struktura më e rëndësishme antikorrupsion në vend të funksionojë në kushte të tilla.
Ai shtoi se SPAK sot ka të gjitha mundësitë ligjore dhe mbështetjen për të thirrur çdo zyrtar të lartë, përfshirë edhe kryeministrin, qoftë edhe vetëm për sqarime. Sipas tij, asgjë nuk e pengon Prokurorinë e Posaçme ta bëjë këtë, madje edhe duke shkuar në zyrën e tij, pasi disa çështje kërkojnë përgjigje që ende nuk janë dhënë.
Në fund, Hoxha ngriti shqetësimin se, pavarësisht malit të dosjeve dhe hetimeve që zgjasin prej vitesh, në fillim të vitit 2026 ende nuk është shënuar një goditje e fortë e re ndaj politikës. Dosjet ekzistojnë, provat po ashtu, por mbetet për t’u parë nëse drejtësia do të ecë përpara me vendosmëri apo do të ngecë në pritje.
