Vrasja e babë e bir në Elbasan, Gjykata e Lartë lë në fuqi burgimin e përjetshëm për Çapjat

Data

Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi vendimin e Apelit të GJKKO-së për dënimin me burgim të përjetshëm ndaj Florenc Çapjas dhe xhaxhait të tij, Ardian Çapja, të shpallur fajtorë për vrasjen e dyfishtë të Nezir dhe Gentian Beqirit, babë e bir, ngjarje e ndodhur në Elbasan në vitin 2012.

Trupa gjykuese rrëzoi rekursin e paraqitur nga Ardian Çapja, Florenc Çapja, Etjen Cani, Klajdi Dokoli dhe Ervis Bardhi, duke lënë në fuqi vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 15 nëntor 2023. Sipas këtij vendimi, Klajdi Dokoli dhe Etjen Cani janë dënuar me nga 25 vite burg, ndërsa Ervis Bardhi me 15 vite heqje lirie.

Më herët, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë kishte shpallur fajtor Ardian Çapjan për vrasjen e dyfishtë dhe për krijim e pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal, duke e dënuar me burgim të përjetshëm. Me të njëjtën masë dënimi u dënuan edhe Florenc Çapja dhe Jorgo Leku, i njohur edhe si Olsi Leka.

Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e 15 gushtit 2012, kur Nezir dhe Gentian Beqiri u ekzekutuan brenda banesës së tyre në qytetin e Elbasanit. Hetimet zbuluan përfshirjen e grupit kriminal të Çapjave, i cili është lidhur me një sërë ngjarjesh të rënda kriminale dhe atentate të ndodhura në Elbasan gjatë viteve të fundit.

Me vendimin e Gjykatës së Lartë, dënimet e dhëna nga shkallët më të ulëta të gjyqësorit bëhen përfundimtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related