Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka folur për protestën kombëtare të opozitës që pritet të zhvillohet më 10 shkurt përpara Kryeministrisë në Tiranë, duke theksuar se gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë të dalin në shesh për të kundërshtuar qeverinë.
Gjatë një konference për shtyp, Berisha deklaroi se opozita do të dëgjojë zërin e qytetarëve dhe do t’i përgjigjet kërkesës së tyre për protestë masive, pas asaj që ai e cilësoi si një seri skandalesh të rënda qeveritare. Sipas tij, sheshi ka mbetur e vetmja rrugë për qytetarët për t’u përballur me një shtet të degraduar dhe të kapur nga pushteti.
Ai akuzoi edhe Gjykatën Kushtetuese, duke pretenduar se po përdoret politikisht dhe se ka humbur përgjegjësinë ndaj qytetarëve. Berisha u shpreh se vetëm fjala dhe reagimi i qytetarëve kanë mbetur si mjet përballjeje me pushtetin aktual dhe se kjo betejë, sipas tij, do të fitohet nga qytetarët.
“Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë të zënë sheshin. Kërkesa e tyre është e drejtë dhe do të zbatohet në rastin më të parë të mundshëm”, u shpreh ai, duke shtuar se guximi dhe morali qytetar janë më të fortë se çdo pushtet që, sipas tij, ushqehet duke shkelur dinjitetin e njerëzve.
Në përfundim, Berisha theksoi se opozita tashmë ka një objektiv të qartë politik: largimin e kryeministrit Edi Rama nga pushteti. Ai e cilësoi këtë si një betejë vendimtare për të ardhmen e vendit, duke ftuar qytetarët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë që të bashkohen në protestën e 10 shkurtit.
