Berisha: Zyra Agasi është zemra e korrupsionit, Rama mban krimin pas shpine

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama gjatë foltores me demokratët e degëve 1 dhe 3 në Tiranë, duke e cilësuar të ashtuquajturën “zyra Agasi” si “zemrën e korrupsionit” dhe një strukturë kriminale që, sipas tij, ka funksionuar për vite me radhë në prapaskenë të pushtetit.

Berisha deklaroi se ekzistenca e kësaj zyre është mohuar publikisht nga kryeministri, por sipas tij ajo ka qenë aktive dhe ka luajtur rol kyç në vendimmarrje të errëta, përfshirë afera korruptive dhe veprime kriminale. Ai akuzoi Ramën se ka mbajtur “një zyrë krimi pas shpine”, ndërsa para qytetarëve shfaqej si përfaqësues i ligjit dhe shtetit.

Sipas Berishës, përmes kësaj strukture janë përvetësuar qindra milionë euro dhe janë ushtruar ndikime të rënda mbi institucionet, përfshirë edhe shkarkime ministrash. Ai ngriti akuza ekstreme duke deklaruar se persona të lidhur me këtë zyrë kanë qenë të përfshirë edhe në organizimin e vrasjeve, çka sipas tij përbën shkallën më të lartë të degradimit moral dhe institucional të një qeverie.

“Një kryeministër që mban zyrë krimi prapa shpine dhe del para qytetarëve si garant i ligjit, përbën përçmimin më të madh që u është bërë shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Në përfundim, ai theksoi se mohimi i ekzistencës së kësaj zyre nga ana e kryeministrit është, sipas tij, një mesazh i hapur se ligji dhe drejtësia nuk merren në konsideratë dhe se grabitja e pasurive publike do të vijojë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related