Ervin Salianji, gjatë një takimi në Fier, ka kritikuar ashpër mënyrën se si po drejtohet Partia Demokratike, duke theksuar se Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë propagandë, por për drejtësi, shpresë dhe demokraci reale.
Ai ngriti shqetësimin se në disa qarqe, përfshirë Fierin, Tiranën, Elbasanin, Dibrën dhe Kukësin, janë përjashtuar nga listat zgjedhore kandidatët më të votuar dhe më aktivë, ndërsa vendimmarrja është përqendruar te një lidership i mbyllur. Sipas Salianjit, kjo praktikë shpërfill kontributin e demokratëve që për vite me radhë kanë mbajtur mbi supe sakrificat e partisë.
Salianji u shpreh se Partia Demokratike nuk mund të fitojë duke u mbyllur në vetvete dhe duke pranuar një logjikë humbëse, duke shtuar se PD sot, fatkeqësisht, po funksionon ashtu siç do kundërshtari politik. Ai theksoi se ndryshimi është ende i mundur, nëse demokratët marrin përgjegjësinë për ta kthyer partinë në një forcë të hapur, përfaqësuese dhe në shërbim të qytetarëve.
