Policia Rrugore e Tiranës ka intensifikuar kontrollet në të gjithë kryeqytetin, duke vendosur mbi 200 masa administrative vetëm gjatë 72 orëve të fundit. Fokus i kontrolleve kanë qenë shkeljet që rrezikojnë drejtpërdrejt sigurinë rrugore dhe bllokojnë qarkullimin.
Sipas të dhënave zyrtare, 101 gjoba janë vendosur për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, 80 për mosvendosje të rripit të sigurimit dhe 63 për mosrespektim të radhës në trafik. Paralelisht, për shkelje të rënda të Kodit Rrugor janë arrestuar ose proceduar penalisht 23 persona, ndërsa 19 automjete janë hequr nga qarkullimi me karrotrec.
Policia Rrugore bën me dije se kontrollet do të vijojnë pa ndërprerje në akset kryesore dhe dytësore të Tiranës, duke apeluar drejtuesit e mjeteve të respektojnë rregullat për të shmangur aksidentet dhe për të garantuar sigurinë e të gjithëve në rrugë.
