Problemet me infrastrukturën rrugore në vend po përsëriten me shqetësim. Pas episodeve të njëpasnjëshme në aksin Qukës–Qafë Plloçë dhe bllokimit për disa orë të rrugës Prrenjas–Librazhd në zonën e Dragostunjës, një tjetër incident është regjistruar këtë herë në rrugën e Dhërmiut.
Gjatë punimeve për zgjerimin e rrugës, një segment i saj është shembur, duke shkaktuar rënie të gurëve dhe masave shkëmbore në trupin e rrugës. Si pasojë, qarkullimi i automjeteve është bllokuar pjesërisht, ndërsa situata ka krijuar rrezik real për drejtuesit e mjeteve.
Shembja ka ngritur pikëpyetje serioze mbi standardet e punimeve dhe masat e sigurisë gjatë ndërhyrjeve infrastrukturore, sidomos në zona me terren të vështirë malor.
Autoritetet nuk kanë dhënë ende një njoftim zyrtar mbi shkaqet e shembjes apo afatet për normalizimin e plotë të qarkullimit, ndërsa drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.
