“Skandal”/ Prençi shpërthen për projektet e Ballukut: Qukës–Qafë Plloçë, Aeroporti i Vlorës dhe Tuneli i Llogarasë kanë rënë nga korrupsioni

Data

Ish-drejtori i Policisë së Dibrës, Shemsi Prençi, ka hedhur akuza të rënda ndaj projekteve madhore infrastrukturore të realizuara nën drejtimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, duke i cilësuar ato si produkte të një korrupsioni masiv dhe sistematik.

I ftuar në një studio televizive, Prençi foli për hetimet e SPAK ndaj zv.kryeministres Belinda Balluku dhe dosjes së AKSHI-t, duke theksuar se një pjesë e konsiderueshme e projekteve ku janë shpenzuar miliarda euro tashmë kanë dështuar teknikisht, janë shembur ose po riparohen vazhdimisht.

Sipas tij, këto dështime nuk janë rastësi apo pasojë e fatkeqësive natyrore, por rezultat i drejtpërdrejtë i korrupsionit, abuzimit me fondet publike dhe shkeljes së standardeve inxhinierike.

“Sa herë që SPAK rrit stekën për të goditur grupet kriminale brenda dhe jashtë qeverisë, politika e ndjerë ngushtë fillon sulmet. Përdorin fjalë si ‘SKAP’, ndërsa nga ana tjetër grupet kriminale egërsohen kundër drejtësisë. Pyetja është: cila është më e rrezikshme?” – u shpreh Prençi.

Ai solli në vëmendje deklaratat e mëparshme të kryeministrit, duke theksuar se goditjet selektive nuk përbëjnë drejtësi reale.

“Na u tha: goditni djathtas se boll goditët majtas. U kap ish-presidenti Ilir Meta, u kap Sali Berisha. Nuk ka një praktikë të tillë në Ballkan. Në Mal të Zi jepet dorëheqja për një skandal të vetëm. Në Shqipëri nuk njihet institucioni i dorëheqjes,” tha ai.

Prençi deklaroi se ka qenë në kontakt me inxhinierë dhe ekspertë të fushës, të cilët i kanë shpjeguar nga afër problematikat e rënda teknike të projekteve infrastrukturore.

“Rruga e Arbrit ka rënë. Qukës–Qafë Plloçë ka rënë. Korçë–Ersekë ka rënë. Aeroporti i Vlorës ka rënë. Tuneli i Llogarasë ka rënë. Tuneli i Murrizit ka rënë. Bypass-i i Vlorës ka rënë. Superstrada Thumanë–Kashar po mbushet për të pestën herë. Eco Park-u ka rënë,” renditi Prençi.

Sipas tij, këto nuk janë raste të izoluara, por pjesë e një tabloje alarmante të degradimit të investimeve publike.

“Të gjitha veprat infrastrukturore, sipas raportit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, kanë kushtuar 9.3 miliardë euro dhe kanë dështuar. Kjo është provë e korrupsionit masiv,” theksoi ai.

Prençi ngriti gjithashtu një kontrast të fortë mes mandatit të prokurorëve dhe pushtetit politik, duke e quajtur disproporcionale dhe absurde situatën aktuale.

“Me gjithë këto punë të pista, këto barbari korruptive, prokurorit të SPAK i japim mandat 9 vjet. Ministres së Infrastrukturës i japim 12 vjet mandat dhe imunitet. Kjo është tallje me drejtësinë dhe me qytetarët,” deklaroi ai.

Deklaratat e Shemsi Prençit shtojnë presionin publik mbi hetimet në vazhdim dhe forcojnë narrativën se dosjet e SPAK për projektet infrastrukturore dhe AKSHI-n mund të jenë ndër më të rënda në historinë e korrupsionit shtetëror në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related