PD tërhiqet nga bojkoti, Boçi: Do të marrim pjesë në komisione me kusht konsensusin

Data

Partia Demokratike nuk do të braktisë komisionet për Reformën Territoriale dhe Reformën Zgjedhore. Këtë e ka bërë të ditur drejtuesi politik i PD-së, Luçiano Boçi, pas diskutimeve të zhvilluara në Kryesinë e vogël të partisë.

Boçi deklaroi se qëndrimi zyrtar i Partisë Demokratike është vijimi i pjesëmarrjes në të dyja komisionet, duke theksuar se PD nuk do të ndjekë rrugën e bojkotit, por do të angazhohet në proces me kusht që vendimmarrja të jetë konsensuale.

“Qëndrimi i shprehur i Partisë Demokratike, pas diskutimeve në Kryesinë e vogël, është që PD do të vijojë të jetë pjesë e Komisionit të Reformës Zgjedhore dhe Territoriale dhe do të vazhdojë me agjendën e këtyre komisioneve. Ne nuk bojkotojmë komisionet dhe do të njoftojmë gatishmërinë e grupit parlamentar të PD për të bashkëpunuar në këtë reformë që është e rëndësishme për vendin”, u shpreh Boçi.

Ai sqaroi se brenda grupit parlamentar ka pasur diskutime dhe mendime të ndryshme, përfshirë edhe qëndrime që mbështesnin braktisjen e procesit, por në fund është vendosur që PD të qëndrojë në tryezë.

“Në grupin parlamentar diskutojmë në mënyrë demokratike. Ka pasur mendime për braktisje, por ajo që ka rëndësi është që procesi të ketë një dalje dhe kjo dalje duhet të jetë konsensuale. Përndryshe, do të thotë se kemi të bëjmë me një proces të paravendosur”, tha Boçi.

Qëndrimi i ri i PD-së vjen pas debateve të forta brenda radhëve të opozitës lidhur me bojkotimin e komisioneve, si dhe pas reagimeve të disa deputetëve që kërkuan pjesëmarrje aktive për të mos ia lënë reformën në dorë mazhorancës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related