Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me pagat e gjyqtarëve, duke e akuzuar për shantazh politik dhe sulm frontal ndaj sistemit të drejtësisë.
Sipas Këlliçit, Rama ka nisur një luftë të hapur ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve, pasi drejtësia ka filluar të marrë vendime që prekin bashkëpunëtorët e tij më të afërt. Ai thekson se sulmet e kryeministrit ndaj gjyqësorit kanë nisur pas çështjeve që përfshijnë Erion Veliajn, Ilir Beqen, dosjen “5D”, Mirlinda Dhullën, Gysin, Belinda Ballukun dhe, sipas tij, shumë shpejt edhe vetë Ramën.
“Edi Ramës i duhen vetëm prokurorë dhe gjyqtarë të komanduar, si Irena Gjoka. Kush nuk është nën urdhrat e tij, sulmohet dhe baltoset”, shprehet Këlliçi.
Ai akuzon kryeministrin se po përpiqet të hedhë fajin tek gjyqtarët për pensionet e ulëta dhe pagat e pamjaftueshme të mësuesve, duke e cilësuar këtë si një propagandë të konsumuar dhe pa efekt. Sipas deputetit demokrat, fondet për rritjen e pensioneve dhe pagave ekzistojnë, por janë shpërdoruar përmes tenderëve dhe aferave korruptive që kapin vlera miliardëshe.
Këlliçi përmend konkretisht 11 procedura tenderimi me vlerë rreth 1.1 miliardë euro, për të cilat thotë se ka prova dhe fakte për abuzim, si dhe qindra milionë euro të tjera të shpërdoruara në institucione shtetërore.
Në fund të reagimit të tij, deputeti i PD bën thirrje për mobilizim qytetar, duke theksuar se propaganda e qeverisë nuk mashtron më askënd.
“Propaganda e Edi Ramës ka skaduar bashkë me atë vetë. Protesta po zien kudo. Më 10 shkurt mblidhemi të vendosur në Bulevard për t’i treguar vendin këtij kryeministri të korruptuar dhe të lidhur me krimin”, përfundon Këlliçi.
