Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka vijuar sulmet e forta ndaj gjyqtares Irena Gjoka gjatë një deklarate për mediat jashtë ambienteve të SPAK. Ai përdori krahasime letrare, duke iu referuar komedisë së njohur “Rinoceronti” të Eugène Ionesco, për të përshkruar atë që e cilësoi si degradim të drejtësisë në Shqipëri.
Berisha tha se në analogjinë e tij “bisha” është kryeministri Edi Rama, ndërsa Irena Gjoka është “noçka e bishës”, që sipas tij përhap të njëjtin deformim te çdo person apo institucion që prek. Ai deklaroi se rinoceronti i vërtetë i kësaj historie është Rama, duke e quajtur “Ramaduro”.
Sipas Berishës, ashtu si në veprën e Ionescos ku njerëzit shndërrohen në bisha nga kontakti me rinocerontin, edhe në realitetin shqiptar drejtësia po shndërrohet përmes ndikimit të pushtetit politik. Ai akuzoi Gjokën se është e lidhur ngushtë me rrethin e pushtetit, duke përmendur marrëdhëniet e saj me Lindën e Surrelit dhe biznesmenin Ergys Agasi.
Kreu i PD-së theksoi se arsyeja e pranisë së tij në SPAK lidhet pikërisht me këtë, duke e cilësuar situatën si dëshmi të kapjes së sistemit të drejtësisë dhe humbjes së pavarësisë së institucioneve.
