“E dija që do të më njollosnin” / U përmend në dosjen “Epstein”, reagon Elon Musk: Nuk kam bërë asgjë të gabuar

Data

Miliarderi i teknologjisë Elon Musk ka reaguar publikisht pasi emri i tij u përmend në dokumentet më të fundit të lidhura me çështjen Jeffrey Epstein. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Musk mohoi kategorikisht çdo lidhje me financierin e ndjerë, duke theksuar se nuk ka qenë kurrë i përfshirë në aktivitetet e tij.

Musk deklaroi se nuk e ka vizituar asnjëherë ishullin privat të Epstein, nuk ka udhëtuar me avionin e tij të njohur si “Lolita Express” dhe nuk ka marrë pjesë në festa apo takime të organizuara prej tij. Ai theksoi se përmendja e emrit të tij në dokumente nuk përbën provë faji dhe nuk nënkupton përfshirje në veprime të paligjshme.

“E dija që do të më njollosnin pa pushim, pavarësisht se nuk kam bërë asgjë të gabuar”, shkroi Musk, duke shtuar se prej kohësh ka kërkuar publikimin e plotë të dosjeve dhe ndjekjen penale të të gjithë atyre që kanë abuzuar me fëmijë.

Sipas tij, qëndrimi i hapur në favor të transparencës e ka kthyer në objekt sulmesh nga mediat tradicionale dhe qarqe politike të majta. Musk nënvizoi se mbrojtja e viktimave është më e rëndësishme sesa dëmtimi i reputacionit personal.

Reagimi i tij vjen pas publikimit të një sasie të re dokumentesh nga autoritetet amerikane, të cilat përfshijnë miliona faqe materiale, si edhe mijëra video dhe imazhe. Në këto dokumente përmenden edhe figura të tjera të njohura publike, ndërsa autoritetet kanë sqaruar se një pjesë e informacionit është ende e paverifikuar.

Musk përfundoi duke deklaruar se është i gatshëm të përballojë çdo sulm personal nëse kjo ndihmon në zbardhjen e plotë të së vërtetës dhe në sjelljen e drejtësisë për viktimat.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related