Pasi kyçi Kadastrën e Vlorës, Rama paralajmëron shkrirjen e zyrave në rrethe

Data

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar shkrirjen e drejtorive të Kadastrës edhe në rrethet e tjera të vendit, pas zhvendosjes së Kadastrës së Vlorës në Tiranë. Deklaratat u bënë gjatë podcastit të tij, ku Rama konfirmoi se ky proces nuk do të ndalet vetëm me Vlorën.

Sipas kryeministrit, shërbimet kadastrale do të centralizohen, duke u ofruar kryesisht online, çka sipas tij e bën të panevojshme praninë e drejtorive vendore në rrethe. Megjithatë, Rama nuk dha asnjë sqarim se çfarë do të ndodhë me dhjetëra punonjës të këtyre institucioneve në qytetet e tjera, duke lënë hapur pikëpyetje për fatin e tyre profesional.

“Ky nuk është i pari veprim për zhvendosjen e një drejtorie vendore në qendër dhe nuk është as i fundit. Të tjera drejtori do të zhvendosen,” u shpreh Rama, duke konfirmuar një valë të re centralizimi administrativ.

Deklaratat e kryeministrit vijnë në një moment kur zhvendosja e Kadastrës së Vlorës ka shkaktuar reagime dhe shqetësime në nivel lokal, si për aksesin e qytetarëve në shërbime, ashtu edhe për pasojat sociale të këtij vendimi.

Gjatë podcastit të tij “Flasim”, Rama u ndal edhe te vizita e tij e fundit në Izrael, të cilën e cilësoi si “historike” dhe “histori suksesi”. Kjo vizitë e bën atë një nga të paktët liderë europianë që kanë udhëtuar drejt Izraelit kohët e fundit, së bashku me Milorad Dodik, ish-presidentin e Republikës Serpska.

Kryeministri u përpoq ta paraqesë këtë vizitë si një arritje diplomatike, pavarësisht polemikave dhe izolimit diplomatik që ka shoqëruar vizitat zyrtare drejt Izraelit në këtë periudhë.

Deklaratat e Ramës u shoqëruan gjithashtu me komente për konferencat për shtyp të ministrave të tij gjatë javës, ndërsa paralajmërimi për shkrirjen e kadastrave në rrethe pritet të nxisë debate të forta politike dhe institucionale në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related