Kryetari i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka sulmuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama gjatë protestës kombëtare të zhvilluar mbrëmjen e së shtunës në bulevardin përballë Kryeministrisë.
Lapaj deklaroi se Rama po mashtron publikisht kur pretendon se ka realizuar reformën në drejtësi, duke theksuar se në realitet ai jo vetëm që po e sulmon drejtësinë, por po mbron edhe figura të akuzuara për korrupsion, përfshirë zv.kryeministren Belinda Balluku.
“Rama sot është simbol i korrupsionit dhe i tillë do të mbahet mend. Ai njihet si njeriu që ka vjedhur Shqipërinë. Pretendon se ka luftuar korrupsionin, se ka modernizuar shtetin, se spitalet kanë ilaçe, se do ta çojë vendin në Bashkimin Europian – por këto janë gënjeshtra”, u shpreh Lapaj nga podiumi i protestës.
Ai akuzoi kryeministrin se përdor drejtësinë me standarde të dyfishta, duke ushtruar presion dhe ndëshkim ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë, ndërsa për zyrtarët e afërt me pushtetin rezervon mbrojtje dhe poste.
“Për qytetarët kërbaçi, për Belindën karrigia. Kjo është drejtësia sipas Ramës”, tha Lapaj, duke shtuar se Balluku, pavarësisht akuzave të rënda për abuzime me tenderë dhe fonde publike, vijon të qëndrojë në detyrë dhe të mbrohet politikisht.
Kreu i “Shqipëria Bëhet” u ndal edhe te ndryshimet e fundit në Kodin Penal, të cilat sipas tij janë bërë qëllimisht për të trembur bashkëpunëtorët e drejtësisë dhe për të mbrojtur të korruptuarit.
“Po ndryshojnë ligjet për të shpëtuar veten dhe për të frikësuar këdo që flet. Kjo është arsyeja pse po mbrojnë Ballukun dhe të tjerë që sot janë përballë drejtësisë”, deklaroi ai.
Në fund të fjalës së tij, Lapaj falënderoi qytetarët e pranishëm në shesh, duke i cilësuar si “dallëndyshet e para të ndryshimit”, dhe theksoi se protesta dhe qëndresa do të vijojnë deri në fundin e asaj që ai e quajti “regjim korrupsioni”.
