Kryetari i lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka akuzuar ashpër qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama gjatë fjalës së tij në protestën para Kryeministrisë, duke deklaruar se mazhoranca po vendos pengesa serioze ndaj drejtësisë.
Lapaj u shpreh se po rrëzohet fasada e Ramës si një kryeministër që mbështet drejtësinë, duke theksuar se veprimet e tij tregojnë të kundërtën. Ai iu referua konkretisht daljes publike të kryeministrit në Divjakë, dy ditë më parë, në krah të zv.kryeministres Belinda Balluku.
“Sot jemi në ditën e 55-të të qëndresës përballë një godine që do të mbahet mend si godina e zaptuar nga Edi Rama dhe hajdutët e tij. Çdo ditë kësaj qeverie i dalin skandale të reja dhe Rama po dëshmon se rreshtimi i tij në krah të drejtësisë ka qenë vetëm fasadë”, u shpreh Lapaj.
Sipas tij, prania e Ballukut në krah të kryeministrit është një sfidë e hapur ndaj shoqërisë, drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtarë.
“Me Belindën në krah, Rama i bën karshillëk shoqërisë, duke u thënë qytetarëve se nuk ka asnjë problem t’i vjedhin, sepse ai i mban pranë. Me Belindën në krah i bën karshillëk drejtësisë dhe njëkohësisht sfidon edhe Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë shpallur luftë ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në Shqipëri”, tha Lapaj.
Në përfundim, ai u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen kundër asaj që e cilësoi si një pushtet që mbron korrupsionin dhe pengon drejtësinë, duke theksuar se protestat do të vijojnë deri në largimin e qeverisë aktuale.
