Protestës së zhvilluar këtë të shtunë përpara Kryeministrisë i janë bashkuar edhe shqiptarë nga diaspora, të ardhur enkas për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës në vend.
Njëri prej protestuesve, i ardhur nga Londra, tregoi për mediat se jeton prej 27 vitesh jashtë Shqipërisë, por ka vendosur të marrë pjesë në protestë nga ndjenja e përgjegjësisë ndaj familjes, fëmijëve dhe atdheut.
Sipas tij, pavarësisht shpresës së vazhdueshme për ndryshim ndër vite, gjendja në Shqipëri është përkeqësuar nga dita në ditë.
“Kam ardhur nga Londra enkas për këtë protestë. Sot kemi dalë sepse ky vend po shkatërrohet. Nuk mund ta imagjinoni çfarë katastrofe është bërë. Kemi jetuar jashtë 27 vite dhe kemi shpresuar se Shqipëria do ndërtohej, por fatkeqësisht po shkon gjithnjë e më keq”, u shpreh qytetari.
Ai theksoi se pjesëmarrja në protestë është një detyrim moral dhe qytetar, duke nënvizuar se vetëm përmes reagimit dhe angazhimit qytetar mund të vijë ndryshimi që Shqipëria ka nevojë.
