Kryeqyteti rus, Moska, është përfshirë nga reshjet më të mëdha të borës të regjistruara në më shumë se dy shekuj, duke shkaktuar kaos në qarkullim dhe vonesa të shumta në transportin publik. Sipas meteorologëve të Universitetit Shtetëror të Moskës, deri më 29 janar janë regjistruar rreth 92 mm reshje, shifra më e lartë në 203 vitet e fundit.
Në disa zona, shtresa e borës ka arritur deri në 60 centimetra, duke e bërë të vështirë lëvizjen e këmbësorëve dhe automjeteve. Trenat u vonuan, ndërsa rrugët kryesore u bllokuan nga kolona të gjata trafiku.
Ekspertët shpjegojnë se fenomeni është shkaktuar nga ciklone të thella dhe fronte atmosferike të fuqishme që kanë përfshirë rajonin e Moskës. Situata vjen pas një tjetër stuhie të fortë dëbore në rajonin e Kamçatkës, ku më herët këtë muaj u shpall gjendje emergjence.
Autoritetet janë në terren për pastrimin e rrugëve, ndërsa qytetarëve u është kërkuar kujdes maksimal për shkak të kushteve ekstreme të motit.
