Qeveria argjentinase ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme për shkak të zjarreve të mëdha që kanë përfshirë rajonin e Patagonisë, duke djegur qindra mijëra hektarë pyje që nga fillimi i verës.
Situata është më kritike në disa provinca jugore, ku flakët kanë shkatërruar sipërfaqe të mëdha pyjore dhe kanë rrezikuar zona të banuara. Qindra zjarrfikës, të mbështetur nga mjete ajrore, janë angazhuar në terren për të frenuar përhapjen e zjarreve.
Reshjet e fundit të shiut kanë ndihmuar pjesërisht, por vatrat aktive vazhdojnë të jenë problematike për shkak të erërave dhe temperaturave të larta. Deri tani nuk raportohet për viktima, ndërsa autoritetet kanë akorduar fonde emergjente për përballimin e situatës.
