Ditën e enjte, vendi do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme, duke sjellë një ndryshim të ndjeshëm të motit.
Parashikohen vranësira mesatare deri të dendura në pjesën më të madhe të territorit. Reshjet e shiut do të jenë të herëpashershme dhe me intensitet të ulët, ndërsa në zonat jugore priten shtrëngata afatshkurtra me intensitet deri mesatar.
Në zonat malore, veçanërisht në Alpe dhe në verilindje mbi 900–1000 metra, si dhe në juglindje mbi 1000–1100 metra mbi nivelin e detit, reshjet do të jenë në formë dëbore me intensitet të ulët dhe lokalisht mesatar.
Temperaturat minimale do të zbresin deri në 3 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nuk do të kalojnë 14 gradë Celsius.
Era do të fryjë nga juglindja dhe jugperëndimi me shpejtësi mesatare rreth 7 m/s, por përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore mund të arrijë deri në 15 m/s. Deti Adriatik dhe Jon do të kenë valëzim nga 2 deri në 4 ballë.
