Mazhoranca socialiste po e çon me vetëdije drejt konsumimit të afateve ligjore kërkesën e SPAK për arrestimin e zv/kryeministres së pandehur Belinda Balluku, duke u fshehur pas pritjes së një vendimi nga Gjykata Kushtetuese. Skema e zvarritjes synon rrëzimin automatik të kërkesës përmes djegies së afatit tre mujor të parashikuar nga Rregullorja e Kuvendit.
Sipas nenit 118, pika 5 e Rregullores, nëse Kuvendi nuk merr vendim brenda tre muajve nga paraqitja e kërkesës së prokurorisë për autorizimin e arrestimit të një deputeti, kërkesa konsiderohet e rrëzuar. Për Ballukun, kjo përkthehet në një datë konkrete: 16 mars.
Që nga 16 dhjetori, kur SPAK depozitoi kërkesën, Kuvendi nuk ka ndërmarrë asnjë veprim real për ta shqyrtuar atë. Përkundrazi, procesi është shtyrë pa afat, me justifikimin se duhet pritur vendimi i Gjykatës Kushtetuese, edhe pse juridikisht kjo nuk e pengon Kuvendin të ushtrojë kompetencën e tij kushtetuese për dhënien ose jo të autorizimit.
Në urdhrin e firmosur nga kryetari i Kuvendit thuhet se shqyrtimi i kërkesës së SPAK do të lidhet me marrjen dhe vlerësimin paraprak të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, për të garantuar një proces vendimmarrjeje të plotë dhe objektiv. Por në praktikë ky formulim ka krijuar një ngërç institucional: Gjykata pret Kuvendin dhe Kuvendi pret Gjykatën, ndërsa afati ligjor vazhdon të digjet.
Kjo linjë ndjek qëndrimin e shpallur publikisht nga kryeministri më 21 dhjetor, kur deklaroi se mazhoranca nuk ka asnjë gjasë të shqyrtojë kërkesën e prokurorëve për masa të reja sigurie. Një qëndrim që bie ndesh me premtimet e mëparshme se Partia Socialiste nuk do të shndërrohej në një zyrë avokatie për zyrtarët me probleme me drejtësinë.
Ndërkohë, SPAK ka argumentuar se qëndrimi i Ballukut në detyrë përbën rrezik të drejtpërdrejtë për hetimin. Në seancën në Gjykatën Kushtetuese, prokurori Dritan Prençi deklaroi se pas rikthimit në detyrë, Balluku ka ndikuar në procesin e marrjes së provave, ka ushtruar presion ndaj vartësve dhe ka cenuar seriozisht hetimin.
Në dosjen hetimore thuhet se nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se e pandehura, gjatë kohës që ishte njohur me akuzën dhe ushtronte detyrën, ka ushtruar presion me forma të ndryshme ndaj personave të pyetur. Pikërisht për këtë arsye, SPAK ka kërkuar autorizimin e arrestimit, duke argumentuar rrezikun e prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve.
Në këtë sfond, loja institucionale e zvarritjes synon të kapë datën 16 mars, kur kërkesa e SPAK bie për shkak të afateve. Bashkë me të, rrezikon të bjerë edhe narrativa e ndërtuar prej vitesh se pushteti nuk do t’i dilte kurrë kundër drejtësisë së re.
