Autoritetet belge kanë arrestuar dy të rinj si autorë të dyshuar të vrasjes së taksistit shqiptar Marko Beka, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Geel, Belgjikë. Prokuroria ka deklaruar se viktima nuk ishte zgjedhur rastësisht, duke ngritur dyshime të forta se bëhet fjalë për një vrasje të paramenduar.
Ngjarja ndodhi rreth orës 21:00, në fshatin Larum, ku pas një telefonate emergjente policia gjeti trupin e pajetë të 45-vjeçarit të shtrirë në rrugë, pranë automjetit të tij. Marko Beka ishte qëlluar me armë zjarri, ndërsa në makinë ndodheshin edhe katër pasagjerë, dëshmitarë të momentit tragjik.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të emergjencës, ai nuk mundi t’u mbijetonte plagëve të marra. Viktima ishte shofer taksie dhe pronar i një kompanie private transporti, ndërsa la pas bashkëshorten dhe tre fëmijë.
Dy të arrestuarit pritet të dalin para dhomës së këshillimit, e cila do të vendosë nëse paraburgimi i tyre do të vijojë. Ndërkohë, hetimet janë në zhvillim për të zbardhur motivin e saktë të krimit, ndërsa deklarata e prokurorisë se “viktima nuk ishte zgjedhur rastësisht” ka shtuar peshën e dyshimeve për një ekzekutim të qëllimshëm.
