Vizita e Ivanka Trump në Shqipëri ka ndezur interes të madh për investimet e mundshme që pritet të realizohen në zonën e Vlorës nga bashkëshorti i saj, Jared Kushner. Përveç ishullit të Sazanit dhe Manastirit të Zvërnecit, vëmendja është ndalur edhe tek Akërnia, një zonë pak e njohur, por me potencial të jashtëzakonshëm turistik.
Akërnia, e pozicionuar përballë ishullit të Sazanit dhe pranë Zvërnecit, është vizituar gjatë qëndrimit dyditor të Ivanka Trump në Vlorë. Kjo vizitë ka rikthyer në qendër të vëmendjes një nga zonat më të virgjëra të jugut, me plazhe të paprekura, ujëra të kristalta dhe natyrë të paprishur nga betonizimi.
Banorët e zonës tregojnë se pas lajmeve për investime të mundshme, interesi për tokat dhe pronat është rritur ndjeshëm. “Këtu po çmenden të gjithë, po pyesin çdo ditë për toka dhe prona,” shprehen ata, duke theksuar se çmimet kanë nisur të lëvizin dhe shpresa për zhvillim ekonomik është rikthyer.
Ekspertët e turizmit e konsiderojnë Akërninë si një destinacion ideal për turizëm elitar dhe të qëndrueshëm. Nëse investimet materializohen, zona pritet të shndërrohet në një pikë të rëndësishme turistike, duke tërhequr vizitorë të huaj dhe investitorë ndërkombëtarë.
Fshati i Akërnisë, i cili vitet e fundit është përballur me largim masiv të banorëve për shkak të mungesës së mundësive ekonomike, po sheh tani shenja ringjalljeje. Banorët në emigrim shprehen të gatshëm të rikthehen ose të investojnë në vendlindje, kryesisht në sektorin e turizmit.
Për komunitetin lokal, investimet e mundshme përfaqësojnë jo vetëm zhvillim ekonomik, por edhe një shans real për të ndryshuar fatin e një zone që për vite me radhë ka mbetur në harresë.
