Një valë historike moti ekstrem ka përfshirë Shtetet e Bashkuara, duke shkaktuar kaos në transportin ajror dhe probleme serioze me energjinë elektrike. Rreth 4,000 fluturime u anuluan brenda një dite, ndërsa mijëra të tjera u vonuan për shkak të stuhisë së fuqishme dimërore që po godet vendin.
Sipas parashikimeve meteorologjike, dëbora, akulli, shiu i ngrirë dhe temperaturat ekstremisht të ulëta pritet të përfshijnë deri në dy të tretat e shteteve lindore gjatë ditëve në vijim. Autoritetet paralajmërojnë për kushte të rrezikshme udhëtimi dhe ndikime serioze në jetën e përditshme.
Presidenti i SHBA-së ka miratuar shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në disa shtete, përfshirë Karolinën e Jugut, Virxhinian, Tenesin, Xhorxhian, Kentakin, Luizianën dhe Misisipin, duke e cilësuar situatën si një stuhi “historike”.
Ndërkohë, problemet me energjinë elektrike janë përkeqësuar, me mbi 130 mijë familje dhe biznese që kanë mbetur pa drita, kryesisht në Teksas dhe Luiziana. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin udhëtimet e panevojshme, të furnizohen me ushqime dhe karburant, si dhe të qëndrojnë të sigurt dhe të ngrohtë.
