Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas protestës së opozitës, duke zgjedhur gjuhën e sulmit dhe përçmimit ndaj qytetarëve që dolën në shesh. Në një postim në rrjetin social X, Rama e cilësoi protestën si të dhunshme dhe të organizuar, ndërsa protestuesit i etiketoi si “mercenarë të rekrutuar” dhe “rrugaçë lagjesh”.
Në reagimin e tij, Rama përpiqet të justifikojë ndërhyrjen e forcave të rendit, duke krahasuar protestën me akte vandalizmi dhe duke akuzuar Partinë Demokratike se ka dhunën pjesë të ADN-së së saj politike. Ai shprehet se, sipas tij, kjo është e vetmja parti parlamentare në Europë që përdor dhunën si instrument politik.
“Kjo parti ka në program shkatërrimin e pronës, sulmin ndaj institucioneve dhe mobilizimin e paramilitarëve, që sot janë mercenarë të paguar,” shkruan Rama, duke iu referuar protestuesve që hodhën molotovë gjatë tubimit.
Më tej, kryeministri përdor një gjuhë fyese dhe denigruese, duke e quajtur protestën shenjë të një “degjenerimi të pandalshëm” dhe duke sulmuar personalisht organizatorët e saj. Sipas tij, protesta la pas ndotje dhe dëmtime në bulevard, ndërsa shmang çdo përgjegjësi për përdorimin e gazit lotsjellës dhe dhunën policore ndaj qytetarëve.
Në fund të reagimit, Rama u uron shërim punonjësve të policisë të plagosur gjatë protestës, pa përmendur dhjetëra qytetarë të lënduar dhe të arrestuar, për të cilët opozita ka denoncuar shkelje të rënda të ligjit.
