Protestë para Kryeministrisë, Blushi: Sot dita e revoltës, qeveria duhet rrëzuar

Data

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, u ka bërë thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në protestën e sotme para Kryeministrisë, duke e cilësuar 24 Janarin si një “moment historik” dhe një pikë kthese kundër asaj që ai e quan “narkoregjim”.

“Sot është dita e revoltës, e zemërimit, e guximit, e llogaridhënies dhe e triumfit të lirisë. Durimit të shqiptarëve i ka ardhur fundi,” deklaroi Blushi.

Ai ftoi qytetarët nga e gjithë Shqipëria që të mblidhen në orën 17:00 në bulevardin para Kryeministrisë, për një protestë kombëtare kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Sipas Blushit, protesta synon të shprehë pakënaqësinë ndaj varfërisë, korrupsionit, abuzimit me pushtetin dhe kapjes së institucioneve shtetërore. Ai theksoi se qytetarët nuk mund të pranojnë më, sipas tij, grabitjen e taksave, pronave dhe shkatërrimin e shtetit ligjor.

“Kjo bandë duhet shkërmoqur nën këmbët e sovranit. Sot shqiptarët duhet të tregojnë se pushteti i korruptuar nuk ka më vend,” u shpreh Blushi, duke u bërë thirrje të rinjve dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës.

Protesta pritet të zhvillohet pasditen e sotme në Tiranë, ndërsa autoritetet nuk kanë dhënë ende një reagim zyrtar lidhur me thirrjet politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related