Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin shqiptar në Saluzzo të Italisë, pas humbjes tragjike të jetës së një studenti shqiptar 20-vjeçar në një aksident rrugor. Klaudio Gjoka, me origjinë nga Lezha, u nda nga jeta më 22 janar, duke lënë pas dhimbje të thellë te familjarët, miqtë dhe të gjithë ata që e njihnin.
Që në orët e para pas lajmit, dhjetëra persona u mblodhën në morgun e spitalit të qytetit për t’i dhënë lamtumirën e fundit të riut, i cili kishte festuar 20-vjetorin vetëm pak muaj më parë. Aksidenti ndodhi në autostradën 589, në një segment të njohur për rrezikshmërinë e tij, mes Saluzzos dhe Crocera di Barge.
Klaudio ishte nisur drejt Pinerolos për të ndjekur mësimet e pasdites dhe të mbrëmjes në Institutin e Gjeodezisë Buniva. Për shkak të mjegullës së dendur, ai kishte zgjedhur të nisej më herët, por fatkeqësisht nuk arriti kurrë në destinacion. Përplasja ballë për ballë me një mjet të rëndë rezultoi fatale, ndërsa ekipet e shpëtimit nuk mundën të bënin asgjë për t’i shpëtuar jetën.
Rruga u mbajt e mbyllur për disa orë për shkak të hetimeve, ndërsa autoritetet po punojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit. Trupi i të riut ndodhet ende në dispozicion të organeve gjyqësore dhe është urdhëruar kryerja e autopsisë.
Familja e Klaudios ka preferuar të mos flasë publikisht në këto momente të vështira. Një prej të afërmve të tij e ka përshkruar atë shkurtimisht si “një djalë të mirë, serioz dhe të përgjegjshëm”, fjalë që pasqyrojnë imazhin e një të riu të përkushtuar ndaj studimeve dhe jetës.
Ende nuk është vendosur data e ceremonisë mortore, ndërsa pritet që trupi i Klaudios të përcillet drejt Shqipërisë, për t’u prehur në Lezhë, vendlindjen e tij.
