“Balluku e djegur politikisht”, Lala: SPAK ka hetim të veçuar për AKSHI-n dhe kupolën e Policisë

Data

Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja nga hetimet e SPAK, duke theksuar se dy nga dosjet më të nxehta aktualisht janë ajo që lidhet me Belinda Ballukun dhe çështja e AKSHI-t. Sipas saj, pavarësisht zhvillimeve që priten në planin ligjor, Balluku është tashmë e djegur politikisht.

Lala u shpreh se SPAK ka ezauruar pothuajse të gjithë rrugën ligjore ndaj Ballukut dhe se leja për arrest mbetet “guri i fundit”. Ajo theksoi se në rast se Gjykata Kushtetuese rrëzon pezullimin, vëmendja e SPAK do të zhvendoset te Këshilli i Mandateve. Sipas saj, politikisht Balluku nuk ka më hapësirë për rikthim, ndërsa në planin juridik rruga është ende e gjatë dhe ajo ka të drejtën të përballet me drejtësinë.

Gazetarja theksoi se Balluku ka qenë një figurë me pushtet shumë të fortë brenda mazhorancës, por që nga momenti kur është marrë e pandehur, ajo nuk e sheh më të aftë të ringrihet politikisht. Sipas Lalës, fati i saj lidhet tashmë me atë të shumë politikanëve të tjerë që janë përballur me drejtësinë.

Sa i përket AKSHI-t, Lala deklaroi se SPAK ka një hetim të veçuar, i cili nuk lidhet vetëm me institucionin, por shtrihet edhe te kupola e Policisë së Shtetit. Ajo bëri me dije se telefoni i drejtorit të përgjithshëm të Policisë është sekuestruar që në vitin 2024, në kuadër të një hetimi për dekonspirimin e një aksioni policor.

Sipas Lalës, për dosjen e AKSHI-t, SPAK pretendon se ka zbuluar një grup kriminal të strukturuar, i drejtuar nga Agasi dhe Ermal Beqiri, ndërsa për këtë çështje ka një hetim të derivuar dhe të ndarë nga dosjet e tjera. Ajo shtoi se ka edhe hetime të tjera të hapura që lidhen me hakërimin e email-eve dhe përfshijnë emra nga politika dhe biznesi, por theksoi se preferon të mbetet korrekte deri në momentin kur do të ketë veprime konkrete nga drejtësia.

Në përfundim, Lala nënvizoi se hetimet janë ende në zhvillim dhe pritet të sjellin pasoja të forta, si në planin politik, ashtu edhe në atë penal, duke e cilësuar këtë fazë si vendimtare për disa nga figurat më të rëndësishme të pushtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related