Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Mirlinda Karçanaj, ka ankimuar në Apelin e Posaçëm vendimin e Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila i caktoi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” në kuadër të hetimeve për skandalin me tenderat publikë.
Të njëjtin hap ka ndjekur edhe zëvendësdrejtoresha e AKSHI-t, Hava Delibashi, e cila ndodhet nën të njëjtën masë sigurie. Të dyja kërkojnë ndryshimin e masës, duke pretenduar se ajo është e pajustifikuar.
Në Apelin e Posaçëm janë ankuar gjithashtu edhe persona të tjerë të përfshirë në dosje, mes tyre zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erion Ismaili, i pezulluar nga detyra, si dhe biznesmenët Andis Papa, Gëzim Hoxha dhe Rogers Rryta, ndaj të cilëve është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Ndërkohë, SPAK ka shpallur në kërkim dy biznesmenë të tjerë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të cilët dyshohet se kanë luajtur rol aktiv në skemën e abuzimeve me procedurat e prokurimit.
Sipas Prokurorisë së Posaçme, të hetuarit kanë ushtruar presion ndaj përfaqësuesve të kompanive pjesëmarrëse në tendera, duke i detyruar të tërhiqen nga ankimet për procedurat e tenderimit. Kjo skemë, sipas SPAK, u ka hapur rrugën kompanive të paracaktuara për të fituar kontrata publike me vlera të konsiderueshme.
Çështja pritet të shqyrtohet në ditët në vijim nga Apeli i GJKKO-së, i cili do të vendosë nëse masat e sigurisë do të mbeten në fuqi apo do të ndryshohen.
