Prokuroria e Posaçme ka regjistruar një procedim penal pas kallëzimit të depozituar nga Partia Demokratike ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka. Procedimi lidhet me dyshimet se ajo ka fshehur në formularin e vetëdeklarimit të pastërtisë së figurës një dënim penal të dhënë nga drejtësia greke në fillim të viteve 2000, për falsifikim dokumentesh.
Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, hetimi është regjistruar për veprën penale të “falsifikimit të vulave, stampave ose formularëve”, ndërsa aktualisht nuk ka ende persona të regjistruar si të pandehur. Kallëzimi është depozituar nga Adriana Kalaja dhe ka vënë në lëvizje mekanizmat penalë dhe administrativë të drejtësisë.
Paralelisht me veprimet e SPAK, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka administruar aktet e përcjella nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila për rreth 20 muaj ka kryer një verifikim administrativ mbi deklarimet e gjyqtares. Këto akte do t’i kalojnë Komisionit të Zhvillimit të Karrierës në KLGJ, i cili do të hartojë një raport përfundimtar që më pas do të shqyrtohet në seancë plenare publike.
Burime pranë institucioneve të drejtësisë bëjnë me dije se vendimi penal i dhënë nga gjykata greke ndaj Gjokës konsiderohet autentik, ndërsa KLGJ pritet të vlerësojë nëse këto gjetje përbëjnë kusht ndalues për ushtrimin e funksionit publik, sipas ligjit për garantimin e integritetit të zyrtarëve.
Çështja mori vëmendje të gjerë publike pas firmosjes nga Gjoka të masave të sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, në kuadër të dosjes “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij kanë ngritur vazhdimisht akuza për konflikt interesi dhe fshehje të së kaluarës nga ana e gjyqtares.
Megjithëse Gjoka ka kaluar më herët procesin e vetingut dhe është konfirmuar në detyrë, zhvillimet e fundit rikthejnë në qendër të debatit publik çështjen e integritetit të figurave kyçe të sistemit të drejtësisë, ndërsa pritet vendimi përfundimtar i KLGJ-së mbi fatin e saj profesional.
