Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka përkujtuar sot 15-vjetorin e ngjarjeve të 21 Janarit, duke nderuar kujtimin e katër qytetarëve që humbën jetën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.
Në një mesazh publik, Veliaj e cilësoi 21 Janarin si një nga ditët më të errëta në historinë e kryeqytetit, duke theksuar se dhimbja e familjarëve të viktimave mbetet ende e hapur. Sipas tij, kjo plagë nuk është mbyllur dhe vazhdon të kërkojë drejtësi.
“21 Janar ishte një nga ditët më të errëta që përgjaku Tiranën, shtëpinë e të gjithë shqiptarëve. Plaga e dhimbjes së familjeve mbetet ende e hapur. Gjaku i të pafajshmëve thërret më fort se kurrë për drejtësi. Nuk ju harroj”, shkruan Veliaj.
Deklarata vjen në përvjetorin e 15-të të ngjarjes tragjike, e cila vijon të mbetet një plagë e hapur për shoqërinë shqiptare dhe një simbol i kërkesës për drejtësi të vonuar.
