Llangozi shpërthen: Video shantazhi, ministra dhe drejtues policie të implikuar

Data

Avokati Arben Llangozi ka hedhur akuza të rënda, duke deklaruar se pritet arrestimi i gjashtë drejtuesve të lartë të Policisë së Shtetit, mes tyre edhe një zëvendësdrejtor i Përgjithshëm, të dyshuar për lidhje me krimin e organizuar dhe konkretisht me shtetasin Ergys Agasi. Deklaratat u bënë gjatë një interviste televizive, ku Llangozi foli për një dosje që sipas tij përmban fakte tronditëse.

Sipas avokatit, Ergys Agasi disponon video komprometuese dhe intime të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë, përfshirë ministra dhe drejtuese institucionesh të rëndësishme, të cilat dyshohet se janë përdorur për shantazh. Ai pretendon se këto materiale përfshijnë takime të fshehta, afera korruptive dhe skandale seksuale.

Llangozi akuzoi drejtuesit aktualë të Policisë së Shtetit se prej vitesh institucioni nuk funksionon si organ ligjzbatues, por sipas tij është shndërruar në një strukturë të kapur nga krimi i organizuar dhe interesa politike. Ai tha se drejtues të lartë policie kanë frekuentuar ambientet e personave të lidhur me botën e krimit dhe se një ish-ministër është dhunuar fizikisht në zyrë nga grupe kriminale.

Në deklaratat e tij, avokati përmendi gjithashtu përfshirjen e drejtuesve policorë në menaxhimin e tregut të zi të basteve ilegale, duke theksuar se këto aktivitete i shkaktojnë dëm të madh buxhetit të shtetit dhe nuk hetohen siç duhet për shkak të frikës dhe presioneve brenda sistemit.

Ai përmendi raste konkrete ku drejtues policie dyshohet se kanë marrë ryshfet për lejimin e lojërave të fatit, duke theksuar se shumë prej tyre nuk janë vënë para përgjegjësisë për shkak të mbrojtjes politike dhe lidhjeve personale.

Në fund, Llangozi theksoi se sipas tij kemi të bëjmë me një sistem të mirëorganizuar që pengon hetimin e skandaleve korruptive dhe kriminale në nivelet më të larta të shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related