Pas njoftimit të Prokurorisë së Përgjithshme se ka përfunduar verifikimi i thelluar ndaj gjyqtares Irena Gjoka, nga i cili rezulton se ajo ka qenë e dënuar në Greqi, ka reaguar Këshilli i Lartë Gjyqësor.
KLGJ bën me dije se deri në orën 20:30 të datës 20 janar 2026 nuk ka marrë asnjë dokument zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme lidhur me këtë çështje.
Në reagimin zyrtar thuhet se, sapo shkresa e Prokurorisë së Përgjithshme të mbërrijë në mënyrë formale, ajo do të administrohet nga Komisioni i Zhvillimit të Karrierës pranë KLGJ-së dhe më pas do të ndiqen procedurat përkatëse të parashikuara nga ligji.
Këshilli thekson se aktualisht nuk ka asnjë akt zyrtar në adresë të tij dhe se çdo veprim institucional do të ndërmerret vetëm pasi dokumentacioni përkatës të dorëzohet zyrtarisht.
