Gjatë seancës gjyqësore në GJKKO, avokati i deputetit Bardh Spahia ka depozituar një provë të re në mbrojtje të klientit të tij. Sipas avokatit, rasti lidhet me një procedurë prokurimi, ku drejtori i Ujësjellësit, Mark Molla, nuk ka përmbushur detyrën në lidhje me një tender konkret.
“Po depozitojmë rastin e një procedure prokurimi, ku Mark Molla, në cilësinë e drejtorit të ujësjellësit, nuk ka kryer siç duhet detyrën lidhur me këtë tender, pasi vendimi i tij është rrëzuar nga Komisioni i Prokurimeve Publike,” u shpreh avokati.
Bëhet fjalë për tenderin e furnizimit me klor, por SPAK kundërshtoi administrimin e kësaj prove. Prokurorja Dorina Bejko deklaroi se prova nuk ka lidhje me objektin e gjykimit dhe nuk mund të merret në shqyrtim.
“Ne mbajmë të njëjtin qëndrim si në fazën e hetimit paraprak. Fakti që pretendohet të provohet nuk lidhet me shkakun për të cilin i pandehuri akuzohet. Bardh Spahia mund të kishte ndjekur rrugë të tjera ligjore, si auditim apo procedura të tjera administrative, për mos përmbushjen e detyrave nga ana e Mark Mollës. Kërkojmë që kjo provë të mos pranohet dhe të mos bëhet pjesë e shqyrtimit gjyqësor, pasi nuk ka lidhje me lirimin nga detyra të administratorit,” u shpreh prokuroria.
Bardh Spahia është marrë i pandehur dhe po gjykohet për veprën penale të pengimit të ekzekutimit të vendimit të gjykatës. Gjyqtarja Rudina Palloj mbylli shqyrtimin gjyqësor dhe u la kohë palëve për përgatitjen e diskutimeve përfundimtare. SPAK do të paraqesë pretencën më 3 shkurt, në orën 10:00.
