“Krimi ka emër”, Berisha shpërthen në akuza: Vëllai i Ramës pas call center-ave që vjedhin 30 mln euro në muaj

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta nga ambientet e SPAK, duke deklaruar se pas rrjetit të call center-ave mashtrues që veprojnë në Shqipëri qëndron Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama.

Sipas Berishës, nën patronazhin e Olsi Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij funksionojnë mbi 200 baza call center-ash, të cilat, sipas tij, gjenerojnë rreth 30 milionë euro në muaj përmes mashtrimit të qytetarëve të huaj. Lideri i opozitës e cilësoi këtë veprimtari si një skemë kriminale të organizuar, të mbrojtur nga struktura shtetërore.

Berisha akuzoi drejtpërdrejt drejtuesit e SPAK, duke pretenduar se prokuroria ka shmangur hetimet sa herë që në dosje del emri i Olsi Ramës, si dhe ka dekonspiruar operacione hetimore, përfshirë edhe rastin e zbuluar nga gazetarët italianë. Ai tha se hetime që kanë zgjatur me vite janë sabotuar dhe se ambientet ku ushtronin aktivitet call center-at janë gjetur të boshatisura pikërisht për shkak të paralajmërimit të hershëm.

“Janë mbi 200 sipërmarrje mashtruese që vjedhin qytetarët e huaj, me një xhiro prej rreth 30 milionë eurosh në muaj. Kjo veprimtari zhvillohet nën mbikëqyrjen dhe mbrojtjen e narkoshtetit,” deklaroi Berisha.

Në vijim, ai akuzoi SPAK dhe drejtuesin e saj se kanë marrë në mbrojtje vëllain e kryeministrit, duke mos çuar përpara asnjë hetim serioz për këtë skemë. Sipas tij, dekonspirimi i operacionit të fundit konfirmon bashkëpunimin mes krimit dhe institucioneve të drejtësisë.

I pyetur edhe për vendimet e Gjykatës Kushtetuese, Berisha u shpreh se ato kanë pasur si qëllim mbrojtjen politike të kryeministrit dhe zëvendëskryeministres, duke shtuar se, sipas tij, pushteti po përpiqet të fshihet pas figurave të tjera për të shmangur përgjegjësinë direkte.

Deklaratat e Berishës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa hetimet për call center-at mashtrues dhe rolin e personave të lidhur me pushtetin vijojnë të jenë në qendër të debatit publik.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related