Policia Financiare ka dhënë detaje zyrtare lidhur me bastisjen e kryer në Negotinë, ku u zbuluan rreth 350 mijë euro të fshehura brenda murit të një banese.
Sipas njoftimit zyrtar, objekti ku u gjetën paratë rezulton të jetë në pronësi të prindërve të gjyqtarit Gjoko Ristov, i cili ushtron funksionin në Gjykatën e Apelit në Shkup.
Bastisja është kryer në kuadër të një hetimi të gjerë dhe kompleks që po udhëhiqet nga Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake dhe në koordinim me Policinë Financiare.
Gjatë kontrollit, autoritetet zbuluan një hapësirë të ndërtuar fshehurazi brenda murit të banesës, ku ishin depozituar rreth 350 mijë euro cash. Sipas dyshimeve paraprake, shuma dyshohet se përfaqëson fitim të kundërligjshëm dhe fshehje pasurie, të lidhur me veprime korruptive dhe tregti me ndikim.
Mediat rajonale raportojnë se emri i gjyqtarit Gjoko Ristov është përmendur edhe më herët në hetime të tjera, për shkak të lidhjeve të dyshuara me ish-Avokatin e Popullit Fehmi Stafa, i cili aktualisht ndodhet në paraburgim nën dyshimet për marrje ryshfeti në vlerën e 50 mijë eurove.
Hetimet vijojnë, ndërsa autoritetet pritet të sqarojnë origjinën e shumës së sekuestruar dhe rolin konkret të personave të përfshirë në këtë çështje.
