Një restorant në zonën e Dajçit, në Bashkinë Shkodër, është përfshirë nga flakët mbrëmjen e kësaj të premteje, duke u shkrumbuar plotësisht. Objekti ndodhej në bregun e lumit Buna, në një zonë të njohur për bukurinë natyrore dhe për interesin që kishte zgjuar te turistët vendas dhe të huaj.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka marrë përmasa të mëdha brenda pak minutash, pasi restoranti ishte i ndërtuar kryesisht me dërrasa. Forcat zjarrfikëse mbërritën në vendngjarje, por ndërhyrja nuk mundi të shpëtojë asgjë nga objekti.
Fatmirësisht, nga zjarri nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa dëmet materiale janë totale. Shkaqet e rënies së zjarrit mbeten ende të paqarta.
Policia dhe zjarrfikësit kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe për të përcaktuar nëse bëhet fjalë për një incident aksidental apo për shkaqe të tjera.
