“83 mandate pa vlerë morale” – Lapaj: Rama nuk rrëzohet me turizëm protestash dhe dalje simbolike

Data

Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se shumica prej 83 mandatesh e Partisë Socialiste ka humbur çdo legjitimitet moral, për sa kohë figura të qeverisë kapen në vjedhje dhe korrupsion. Në një intervistë televizive, ai theksoi se askush nuk mund të fshihet pas numrave parlamentarë kur është “kapur gafil” duke abuzuar me pushtetin.

Sipas Lapajt, mandatet nuk mund të përdoren si alibi për të qeverisur edhe katër vite të tjera në kushte skandalesh dhe akuzash të rënda. Ai kërkoi bashkimin e qytetarëve për të imponuar një qeveri tranzitore, të përbërë jo nga parti politike, por nga intelektualë, me qëllim organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, në përputhje me standardet e BE-së dhe SHBA-së.

Lapaj ironizoi edhe Partinë Demokratike, duke deklaruar se qeveria nuk rrëzohet me “turizëm protestash”, ku dilet për dy orë në shesh dhe më pas gjithçka mbyllet. Sipas tij, ky model proteste i shërben vetëm mbajtjes së pushtetit dhe jo ndryshimit real.

Duke iu referuar qëndrimit 41-ditor përballë Kryeministrisë, Lapaj tha se protesta duhet të jetë e qëndrueshme dhe këmbëngulëse për të krijuar një kulturë të re rezistence qytetare. Në të kundërt, paralajmëroi ai, pushteti aktual mund të zgjasë pafund, ndërsa zhgënjimi i qytetarëve vetëm do të thellohet.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related