Kreu i “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka sulmuar ashpër ish-aleatin e tij Endri Shabani, duke e cilësuar si një “kolltukofag” të etur për karrigen e Avokatit të Popullit. Nga sheshi përpara Kryeministrisë, Lapaj tha se tashmë është zbuluar skenari përmes të cilit, sipas tij, Rama e përdori Shabanin dhe më pas e shpërbleu me një post.
Lapaj u ndal edhe te zgjedhjet e 11 majit, duke pranuar se vendimi për të futur familjarë në listat e kandidatëve ishte një gabim që sot nuk do ta përsëriste. Ai theksoi se qëllimi kishte qenë “i mirë”, për të ekspozuar dhe “djegur” listat e mbyllura, por pranoi se kundërshtarët e shfrytëzuan politikisht këtë veprim.
Sipas Lapajt, sistemi elektoral doli i zhveshur nga padrejtësia, pasi me rreth 64 mijë vota lëvizja e tij mori vetëm një mandat, ndërsa Partia Socialiste me të njëjtin numër votash siguroi shumëfish më tepër mandate. Ai kërkoi ndjesë ndaj qytetarëve që janë ndjerë të zhgënjyer, duke pranuar se nëse do kthehej pas, këtë veprim do ta shmangte.
Lapaj deklaroi se lëvizja e tij refuzoi ofertat për t’u bërë pjesë e qeverisë, pavarësisht presioneve dhe shantazheve, duke u shprehur krenar për qëndrimin e mbajtur. Sipas tij, pazari për Avokatin e Popullit vërtetoi se kush qëndroi dhe kush u dorëzua përballë pushtetit, ndërsa ai garantoi se mbështetja qytetare do të vijojë të rritet.
