Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar nga autoritetet italiane në Bergamo, pas një operacioni të zhvilluar nga Guardia di Finanza, ku u sekuestruan mbi 160 kilogramë kokainë e pastër. Lënda narkotike ishte e fshehur brenda një kamioni dhe e paketuar në rreth 150 pako, ndërsa vlera e saj në tregun e zi vlerësohet deri në 20 milionë euro.
Operacioni u realizua nga Njësia e Policisë Ekonomike dhe Financiare e Brescias, në kuadër të kontrolleve të shtuara në zonat industriale të provincave Bergamo dhe Brescia, të konsideruara me rrezik të lartë për trafik narkotikësh. Hetuesit konstatuan lëvizje të dyshimta rreth kamionit dhe ndërhynë në momentin kur drejtuesi po transferonte shtatë çanta me drogë drejt një automjeti tjetër.
Dy të arrestuarit ndodhen aktualisht në paraburgim në Bergamo, ndërsa identiteti i tyre nuk është bërë publik. Prokuroria italiane ka nisur hetime të thelluara për të zbardhur rrjetin kriminal dhe lidhjet e mundshme ndërkombëtare të trafikut, përfshirë dyshime për bashkëpunim me struktura të Amerikës Latine.
