Gjykata e Apelit të Tiranës ka vendosur të ndryshojë masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie” për tre personat e dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit Martin Çeço.
Burime pranë çështjes bëjnë me dije se Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj dhe Bleti Angjo janë liruar nga qelia, pasi Apeli ka konstatuar se masa e paraburgimit e vendosur më 20 qershor 2022 ka humbur fuqinë ligjore për shkak të tejkalimit të afatit maksimal të qëndrimit në paraburgim.
Pavarësisht lirimit nga burgu, hetimet për vrasjen vijojnë ndaj të tre të dyshuarve. Ngjarja e rëndë ndodhi në qershor të vitit 2022, kur Martin Çeço u vra dhe më pas trupi i tij u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec, në Maliq.
Tre të dyshuarit u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila vijon të mbahet në burg. Ajo dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes dhe akuzohet për përfshirje në ngjarje.
Vendimi i Apelit ka shkaktuar reagime të forta, ndërsa pritet që çështja të vijojë në gjykatë me shqyrtimin e provave dhe përgjegjësive penale për secilin prej të përfshirëve.
