“Korrupsioni dhe kapja e institucioneve kanë cënuar besueshmërinë” – PD reagon pas pezullimit të vizave nga SHBA

Data

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Grigels Muçollari, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të pezulluar procesin e dhënies së vizave për shtetasit shqiptarë, duke e lidhur këtë zhvillim drejtpërdrejt me mënyrën e qeverisjes në vend.

Sipas Muçollarit, kufizimi i vizave amerikane nuk është një vendim i rastësishëm dhe as një çështje thjesht diplomatike, por pasojë e drejtpërdrejtë e korrupsionit të përhapur, kapjes së institucioneve dhe mungesës së sundimit të ligjit në Shqipëri. Ai thekson se këta faktorë kanë cenuar seriozisht besueshmërinë e vendit në sytë e partnerëve ndërkombëtarë.

“Korrupsioni i përhapur, kapja e institucioneve dhe mungesa e sundimit të ligjit kanë dëmtuar rëndë imazhin dhe besimin ndaj Shqipërisë. Ky realitet prodhon një zinxhir pasojash,” shprehet Muçollari.

Ai nënvizon se keqqeverisja sjell varfëri, mungesë perspektive dhe pasiguri sociale, duke e bërë largimin masiv të qytetarëve jo një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Sipas tij, shpopullimi i vendit është reagimi më i qartë ndaj një shteti që nuk u ofron qytetarëve të ardhme.

Muçollari shton se emigrimi masiv dhe shpopullimi janë pasoja direkte të së njëjtës problematikë: korrupsionit sistemik dhe një modeli qeverisës të dështuar. Ai thekson se përgjegjësia politike për këtë situatë i takon kryeministrit, duke nënvizuar se vendimi i SHBA-së nuk synon të ndëshkojë Shqipërinë, por reflekton dështimin e qeverisjes aktuale.

Sipas tij, “fatura politike” e këtij vendimi do t’i paraqitet qeverisë, pasi pasojat e keqqeverisjes po i paguajnë drejtpërdrejt qytetarët shqiptarë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related