Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar përmbytje të konsiderueshme në zonat bujqësore të qarkut Lezhë, duke vënë nën ujë rreth 1700 hektarë tokë dhe duke shkaktuar dëme të mëdha në prodhimin bujqësor. Sipas të dhënave nga strukturat vendore, sektori më i prekur mbetet bujqësia, ndërsa ndikimi në banesa dhe blegtori është më i kufizuar.
Dëmet kryesore janë evidentuar te kulturat e jonxhës dhe grurit, të cilat përbëjnë pjesën më të madhe të sipërfaqes së përmbytur. Konkretisht, rreth 60 për qind e tokës së dëmtuar është e mbjellë me jonxhë, 35 për qind me grurë, ndërsa pjesa e mbetur përfshin kultura të tjera si ullinj, lakra dhe agrume.
Bashkia Lezhë ka angazhuar dy grupe pune për të inspektuar dhe evidentuar dëmet në terren. Sipas Drejtorit të Bujqësisë, Paulin Gjergji, procesi i vlerësimit është drejt përfundimit dhe bazohet si në dokumentacionin e dorëzuar nga fermerët, ashtu edhe në verifikimet direkte në zona të ndryshme.
Grupet e punës janë shpërndarë në disa njësi administrative, përfshirë Balldren, Zadrimë, Zejmen dhe Shënkoll, ku janë konstatuar sipërfaqe të mëdha të mbuluara nga uji. Vetëm në zonën e Spitenit në Zejmen janë evidentuar rreth 120 hektarë tokë të përmbytur.
Autoritetet vendore bëjnë me dije se, pas përfundimit të raportit përfundimtar, të gjitha dosjet do t’u dërgohen institucioneve përkatëse për të vijuar me procedurat e mbështetjes dhe kompensimit të fermerëve të prekur nga kjo situatë e vështirë.
