Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta në lidhje me projektin “Durana Park”, i cili sipas tij duhej të ishte ndërtuar në Xhafzotaj, por në realitet nuk ekziston as në terren, ndërsa fondet publike janë grabitur.
Në një dalje për mediat, Berisha e krahasoi këtë projekt me inceneratorin e Tiranës, duke theksuar se në të dy rastet janë zhdukur qindra miliona euro nga taksat e qytetarëve, pa u ndërtuar asnjë vepër reale.
Sipas Berishës, baxhanaku i kryeministrit Edi Rama, Armand Frangu, jepte informacione të privilegjuara për tenderat, përpara se ato të shpalleshin publikisht, kundrejt pagesave të majme.
“Po të shkoni në Sharrë, nuk gjeni asnjë tullë nga investimi 130 milionë euro për djegësin. Po të shkoni në Xhafzotaj, ku duhej të ngrihej Troplana apo Durana, gjeni vetëm livadhet. Ndërkohë, janë vjedhur qindra miliona euro taksa të qytetarëve shqiptarë”, u shpreh Berisha.
Skema e “klubit” dhe tarifat për informacion
Berisha deklaroi se skema nuk nisi me tendera, por me krijimin e një monopoli teknologjik, përmes një shoqate të quajtur ACTI, e drejtuar nga Ermal Beqiri, i cilësuar prej tij si përfaqësues i Armand Frangut.
Sipas tij, shoqata kishte ndarë kompanitë anëtare në kategori:
- Silver
- Gold
- Platinium
Aksesi në informacionin për projektet dhe tenderat qeveritarë varej nga pagesa vjetore.
“Me deri në 5 mijë euro në vit merrje statusin ‘gold’. Për ‘platinium’ duheshin negociata direkte. Informacioni për tenderat shitej para se ata të bëheshin publikë”, deklaroi Berisha.
Ai theksoi se mbi 50 kompani janë përzgjedhur sipas kësaj skeme për të paguar jo taksa shtetit, por – sipas tij – përfituesve të lidhur me pushtetin.
Legalizime dhe kompani shtetërore “fantazmë”
Berisha akuzoi gjithashtu qeverinë se ka vepruar me shpejtësi për të legalizuar territorin dhe për të krijuar një kompani shtetërore të posaçme për projektin “Durana Park”, duke e cilësuar të gjithë procesin si një mekanizëm të organizuar grabitjeje.
Sipas tij, pas kësaj afere qëndron një sistem i ndërtuar për të kontrolluar tenderat, pronat dhe fondet publike, në dëm të qytetarëve.
