Zjarri tragjik në barin zvicerian/ Shkaktoi 40 të vdekur, Gjykata jep 3 muaj paraburgim për pronarin

Data

Pronari i barit në Alpet zvicerane, i cili u përfshi nga flakët gjatë festimeve të Vitit të Ri duke shkaktuar një tragjedi me 40 viktima, është vendosur në paraburgim parandalues për tre muaj.

Pronari i barit “Le Constellation” në zonën turistike të Crans-Montana u arrestua pas dhënies së dëshmisë para prokurorëve, së bashku me bashkëshorten e tij, e cila është bashkëpronare e subjektit. Të dy u morën në pyetje nga autoritetet e kantonit Valais, në Zvicrën jugperëndimore.

Gjykata kantonale vendosi masën e paraburgimit tremujor ndaj pronarit, si pjesë e hetimit penal që është në vijim. Bashkëshortja e tij deklaroi se gjykata “e ka vlerësuar drejt situatën”, duke shtuar se çifti nuk ka asnjë qëllim t’i shmanget drejtësisë.

Zjarri shpërtheu në orët e para të natës së Vitit të Ri, në një moment kur lokali ishte i mbushur plot me persona që festonin ndërrimin e viteve. Bilanci ishte tragjik: 40 persona humbën jetën dhe 116 të tjerë mbetën të plagosur, shumica adoleshentë.

Autoritetet kanë nisur hetim penal ndaj pronarëve për vrasje të paqëllimshme, shkaktim të lëndimeve trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Sipas të dhënave paraprake, zjarri dyshohet se u shkaktua nga fishekzjarrë që ndezën materialin izolues të tavanit në bodrumin e lokalit.

Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse lokali kishte pajisje të mjaftueshme kundër zjarrit dhe nëse daljet e emergjencës përmbushnin standardet e sigurisë. Sipas gjetjeve fillestare, një nga dyert e emergjencës ishte e mbyllur dhe korridoret rezultuan shumë të ngushta, çka kontribuoi ndjeshëm në rritjen e numrit të viktimave.

Sipas ligjit zviceran, ndaj të dyshuarve zbatohet parimi i prezumimit të pafajësisë deri në një vendim përfundimtar gjyqësor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related