Nga mungesa e ujit te përmbytjet masive në Vlorë, Sharra: Ky është dështim i shtetit

Data

Situata e përmbytjeve në qarkun e Vlorës vijon të jetë alarmante, ndërsa lumi Vjosë ka dalë nga shtrati duke shkaktuar dëme të mëdha në banesa, tokë bujqësore dhe infrastrukturë. Kryetari i Partisë Demokratike për Vlorën, Hysni Sharra, e ka cilësuar këtë situatë si një dështim të hapur të shtetit dhe pasojë të drejtpërdrejtë të keqmenaxhimit shumëvjeçar.

Sipas Sharrës, paradoksi i Vlorës është domethënës: vetëm pak javë më parë qyteti vuante nga mungesa e theksuar e ujit të pijshëm, ndërsa sot po përballet me përmbytje masive. Kjo, sipas tij, dëshmon mungesë totale planifikimi dhe investimesh strategjike në infrastrukturën ujore.

Ai kritikoi ashpër përpjekjet për të zhvendosur përgjegjësinë, duke ironizuar deklaratat që fajësojnë faktorë të jashtëm apo projekte të ndërtuara vite më parë. Sharra theksoi se ndërhyrjet në zonën e Urës së Mifolit dhe përgjatë argjinaturës së Vjosës ishin të vonuara dhe të pamjaftueshme, ndërkohë që punimet parandaluese duhej të ishin kryer gjatë muajve të verës, kur prurjet e ujit janë minimale.

Sipas tij, çarja e argjinaturës pranë fshatit Bishan dhe përmbytjet e rënda në zonat përreth janë pasojë direkte e mungesës së investimeve serioze dhe reagimit të vonuar të institucioneve. Ai e cilësoi si “tallje me qytetarët” pretendimin se përmbytjet janë shkaktuar nga mbeturinat plastike në lumenj, duke theksuar se ndotja është problem real mjedisor, por nuk mund të shpjegojë një katastrofë të përmasave të tilla.

Si shembull të mungesës së shtetit, Sharra përmendi edhe dëmtimin e rrugës që lidh fshatrat Bashaj dhe Matogjin në Bashkinë Selenicë, ku banorët u detyruan të ndërhyjnë vetë me mjete rrethanore për të hapur kalimin. Ai kujtoi se përmbytje të ngjashme janë përsëritur edhe në vitet 2014 dhe 2017, çka sipas tij tregon se autoritetet nuk kanë nxjerrë asnjë mësim nga krizat e mëparshme.

Në përfundim, Sharra u shpreh se përmbytjet në Vlorë dhe në mbarë vendin nuk janë thjesht pasojë e motit të keq, por rezultat i një modeli të përsëritur neglizhence, ku mungojnë masat parandaluese, investimet afatgjata dhe përgjegjësia institucionale. Sipas tij, qytetarët po përballen çdo vit me të njëjtën situatë, ndërsa dora e shtetit mbetet larg në momentet më kritike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related