Përmbytjet po shndërrohen në një nga rreziqet më serioze dhe më të kushtueshme për Shqipërinë, duke goditur çdo vit bujqësinë, banesat dhe ekonominë. Edhe pse reshjet mesatare vjetore kanë shënuar një rënie të lehtë që nga vitet 1950, ngjarjet e përmbytjeve janë shtuar ndjeshëm gjatë tri dekadave të fundit.
Ekspertët theksojnë se problemi nuk lidhet vetëm me ndryshimet klimatike, por kryesisht me mënyrën se si është menaxhuar infrastruktura e kullimit dhe territori. Reshjet sot bien më intensive në një kohë të shkurtër, por dëmet përshkallëzohen për shkak të kanaleve të bllokuara, kolektorëve të amortizuar dhe hidrovoreve që shpesh funksionojnë vetëm në situata emergjente.
Zona që dikur nuk përmbyteshin, sot janë kthyer në pika të kuqe. Urbanizimi pa plan, betonizimi masiv dhe ndërtimet pa kriter në shtratin e lumenjve dhe kanaleve kulluese kanë ulur ndjeshëm kapacitetin natyror të territorit për të përballuar ujin. Në shumë raste, kanalet parësore dhe dytësore janë ngushtuar ose mbuluar, duke e detyruar ujin të dalë në rrugë dhe banesa.
Sipas specialistëve të hidroteknikës, një pjesë e konsiderueshme e dëmeve nga përmbytjet mund të shmangej vetëm me mirëmbajtje rutinë: pastrim kanalesh, funksionim të vazhdueshëm të hidrovoreve, kontroll të kolektorëve urbanë dhe ndalim të ndërhyrjeve të paligjshme. Megjithatë, investimet në këtë drejtim kanë qenë të fragmentuara dhe shpesh të pamjaftueshme për shkallën e rrezikut.
Përmbytjet nuk janë më vetëm problem i zonave rurale. Ato po godasin gjithnjë e më shumë qytetet, duke ekspozuar dobësi të thella në planifikimin urban dhe mungesën e koordinimit mes institucioneve qendrore dhe vendore. Fragmentimi i përgjegjësive bën që askush të mos mbajë përgjegjësi të plotë për sistemin e kullimit.
Ekspertët paralajmërojnë se pa ndërhyrje të strukturuara dhe planifikim afatgjatë, përmbytjet do të vazhdojnë të përsëriten, duke prodhuar dëme gjithnjë e më të mëdha financiare. Zgjidhja nuk qëndron vetëm te ndërtimi i veprave të reja, por te funksionalizimi i asaj që tashmë ekziston, rikthimi i disiplinës urbane dhe trajtimi i përmbytjeve si rrezik i parashikueshëm, jo si emergjencë e papritur.
Nëse nuk ndryshon qasja, reshjet e shiut do të vazhdojnë të jenë thjesht shkaku – ndërsa dëmi real do të mbetet pasojë e dështimit njerëzor.
